Fshati Vithkuq është ndër më të bukurit në qarkun e Korçës, me vlera të mëdha kulturore e historike dhe me njerëz mikpritës të cilët ende ruajnë me fanatizëm zakonet dhe traditat e zonës. Gratë vithkuqare punojnë shumë bukur e me finesë leshin, i cili përveç veshjeve shërben për të bërë qilima, levenca, etj. Gjithashtu ato janë mjeshtre edhe të punimeve me grep e shtiza.
Të gjitha punimet e leshit këtu kanë një veçanti, pasi ngjyerja e fijes bëhet me shargjet e arrës, duke bërë të mundur që ngjyra të rezistojë me vite, ndoshta edhe me shekuj.
Përveç punimeve të dorës, gratë e Vithkuqit kanë traditë edhe përgatitjen e zahireve të dimrit, duke qënë se dimri këtu është i gjatë dhe i ashpër.
Gratë e Vithkuqit përpiqen që traditën e gatimeve dhe të punimeve me dorë ta trashëgojnë edhe tek vajzat e reja.
Vithkuqi dikur ka qënë një qendër banimi tepër e zhvilluar, me një nivel jetese për kohën e vet për tu admiruar, me shumë lagje, shkolla, kisha e manastire. Sot është një ndër fshatrat turistikë më të vizituar në rajonin juglindor.