• Lajme kombëtare

Arsimi profesional në Shkollën e Drejtorëve. Kushi: Hap i rëndësishëm për arsim cilësor

Përfshirja e arsimit dhe aftësimit profesional në Shkollën e Drejtorëve është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi arsimor më të barabartë dhe më të përgjegjshëm që plotëson më mirë nevojat e të rinjve, punëdhënësve dhe shoqërisë në tërësi. Kështu është shprehur ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi gjatë një aktiviteti për prezantimin e programit të ri të detyrueshëm të trajnimit për drejtues shkollash dhe aspirantë të rinj nga 35 shkolla të arsimit profesional në të gjithë Shqipërinë. Prej vitit 2019, “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar”, një bashkëpunim mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, zbaton programin e trajnimit për certifikimin e drejtuesve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri, por nuk përfshinte shkollat e mesme profesionale.

Programi 9-mujor synon të zhvillojë kapacitetet drejtuese dhe menaxheriale të drejtorëve, nëndrejtorëve dhe mësuesve aspirantë në Institucionet e Arsimit Parauniversitar. Gjatë fjalës së saj Ministrja Kushi vlerësoi si një zhvillim shumë të mirë përfshirjen e arsimit dhe aftësimit profesional në Shkollën e Drejtorëve, ndërsa theksoi se shërbimi i karrierës në klasat e 9-ta është një mbështetje e mirë për shkollat profesionale, pasi nxënësit meqë janë ende të vegjël për të marrë vetë vendime, ndihmohen jo vetëm nga familjet e tyre, por edhe nga shkollat 9-vjeçare, të cilat e kanë detyrim t’i informojnë ata për prirjet, zhvillimet dhe kërkesat në tregun e punës, si dhe specifikat lokale të vendit. Zgjerimi i arsimit të detyrueshëm me përfshirjen e arsimit dhe aftësimit profesional konsiderohet një hap i rëndësishëm për të zhvilluar një fuqi punëtore të kualifikuar për të ardhmen e vendit tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *