• Lajme kombëtare

Arrihet marrëveshja në BE për azilkërkuesit, kush s’ka shanse për t’u pranuar do verifikohet dhe do kthehet që në kufi

Gjatë gjithë ditës të enjten (07 qershor) 27 ministrat e brendshëm të vendeve të BE-së diskutuan në Luksemburg për të arritur miratimin e reformës së zgjeruar të procedurës së azilit që është përgatitur prej vitesh dhe për migracionin e kontrolluar.

“Ka dritë në fund të tunelit”, tha një i deleguar gjatë bisedimeve që zgjatën rreth 12 orë. Presidentja suedeze e Këshillit Maria Malmer Stenergard e ndërpreu tri herë mbledhjen dhe pas qëndrimeve refuzuese të delegacioneve, teksti i marrëveshjes u ndryshua disa herë. Më në fund shtetet më të mëdha të BE-së si Gjermania dhe Italia ranë dakord, por jo vendet më të vogla. Vendimi në fund u mor me shumicë të kualifikuar nga vendet që përfaqësojnë 65 përqind të popullsisë së BE-së dhe jo njëzëri. Kundër votuan Polonia dhe Hungaria, që vazhdojnë të refuzojnë rregullat e një politike të përbashkët migracioni në BE.

Të pranosh azilkërkues ose të paguash

Ministrja e Brendshme nacionalkonservatore e Polonisë, Mariusz Kaminski deklaroi, se Polonia nuk do të paguajë zhdëmtim në një fond të BE-së për azilkëkruesit e refuzuar. Ky zhdëmtim, 20.000 euro për azilkërkues, është i nevojshëm sipas rregullave të reja të solidaritetit, në rast se një vend nuk pranon aq azilkërkues, sa do të duhej të ishte e përballueshme nisur nga numri i popullsisë që ka.

Ekspertja e migracionit Helena Hahn nga Think Tank “European Policy Centre” shpreh dyshim, nëse ky sistem i ri do të ketë sukses: “Ne e pamë në fund, se marrëveshja has në rezistencën e disa vendeve anëtare si Polonia. Këto vende thonë, se kostot janë shumë të larta. Ndaj pritet që të ketë më shumë opozitë ndaj marrëveshjes.”

Më pak shanse për kuotat e pranimit nën 20 përqind

Pavarësisht opozitës masive ndaj “solidaritetit të detyrueshëm” me vendet e mbingarkuara si Greqia, Italia, Qiproja dhe Malta, ministrja e Jashtme e Gjermanisë ,Nancy Faeser e konsideron vendimin në Luksemburg si vendim “historik”, i cili nuk qe i lehtë për askënd. Ministrja pranoi, se në radhët e koalicionit qeverisës në Gjermani të përbërë nga socialdemokratët, ekologjistët dhe liberal-demokratët janë të diskutueshme procedurat e përshpejtuara të azilit në kufijtë e jashtëm të BE-së.

Me këtë procedurë të përshpejtuar maksimumi brenda 12 javësh ata që kërkojnë azil duhet të verifikohen dhe nëse nuk kanë argumenta bindëse për aplikimin e tyre, sepse vijnë nga një vend i sigurt do të kthehen menjëherë. Kjo prek ata që vijnë nga vende, ndaj të cilave kuota e pranimit në nivel të BE-së është nën 12 përqind, konkretisht kjo ka të bëjë me azilkëkrues që vijnë nga Pakistani, Shqipëria dhe nga disa vende të tjera afrikane.

Rregullat e miratuara tani nga këshilli I ministrave do të miratohen me Parlamentin e BE-së deri në fund të këtij viti. Nëse procedura e mëtejshme ligjore do të kalojë pa pengesa duke u miratuar nga parlamentarët përpara pranverës së zgjedhjeve të BE-së në qershor, atëherë rregullat hyjnë në fuqi qysh vitin e ardhshëm./ DW

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *