Fermerët e qarkut të Korçës së shpejti do të kenë 3 laboratorë shkencorë ku do të mund të kryejnë analizat për të pasur një prodhim më cilësor por edhe për të ulur kostot e trajtimeve që iu kryejnë të mbjellave. Një gjë e tillë do të realizohet nëpërmjet një bashkëpunimi të universitetit Fan Noli të Korçës me Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, ku pajisjet bashkëkohore të laboratorëve do të vihen në dispozicion nga universiteti ndërsa ambjenti do të vihet nga QTTB.
Në këto laboratorë fermerët do të kenë mundësi të kryejnë analizat e tokës, të bimëve, të produkteve ushqimore e blegtorale, si dhe do të mund të përcaktojnë momentin më kritik se kur është e nevojshme kryerja e plehrimit sa më efikas të të mbjellave. Deri më sot fermerët e qarkut të Korçës pothuajse nuk i kryejnë këto analiza, edhe për shkak se ato janë të kushtueshme nëse kryhen te privati, por edhe sepse këto analiza mund të kryhen jashte vendit duke rritur edhe më shumë kostot.
Aktualisht për mungesë vendi, eshte në përdorim vetëm një pjesë të pajisjeve të këtyre laboratorëve, ndërsa në ambjentin e ri të gjitha pajisjet do të vihen në funksionim në shërbim të fermerëve dhe të punës shkencore në universitet.