Gjatë vizitës së saj të parë në Korçë, ambasadorja e Francës në Shqipëri Catherine Suard (Katrin Suard) ka zhvilluar një takim me stafin drejtues të universitietit “Fan Stiljan Noli” në Korçë. Ambasadorja e shoqëruar edhe nga Pierre Raynaud, (Pier Rajno) këshilltar për bashkëpunimin dhe kulturën, janë pritur në këtë takim nga rektori i universitetit Prof. Dr Dhimitri Bello, i cili teksa i uroi ambasadores suksese në detyrën e re, vuri theksin tek bashkëpunimet që ka institucioni që ai drejton me universitetet franceze dhe mundësinë e hartimit të programeve të përbashkëta.
Nga ana tjetër edhe ambasadorja franceze Catherine Suard (Katrin Suard) shprehu bindjen për zgjerimin e bashkëpunimit të universitetit të Korçes me universitetet franceze.
Universiteti “Fan Stiljan Noli” në Korçë aktualisht ka tre marrëveshje aktive bashkëpunimi me universitetet franceze, me synim shkëmbimin e literaturës dhe botimeve shkencore, mobilitetet staf dhe studentë si dhe përgatitjen e strukturave dhe aktorëve të brendshëm dhe partnerëve të universitetit për përfshirjen e institucionit në renditjen kombëtare, rajonale dhe globale.