Kandidatja e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Korçë, Ledina Alolli ka zhvilluar një takim me banorët në fshatin Bulgarec duke dëgjuar shqetësimet e tyre si dhe duke shprehur vizionin e saj për zgjidhjen e problematikave më shqetësuese. Në lidhje me shqetësimin e banorëve për mungesën e shitjes së prodhimeve bujqësore, Alolli tha se bashkia e drejtuar prej saj do të kujdeset që prodhimi të ndjekë zinxhirin e tregtimit dhe të kthehet në fitim dhe interes për fermerët. Gjithashtu ajo tha se nuk do të ketë më burokraci dhe tarifa të padrejta.
“Mes banorëve të Bulgarecit ajo që më ra në sy është nevoja e njerëzve për të folur, për të kërkuar, për të ndjekur ndryshimin. Kjo energji, është një domosdoshmëri e kohës: duhet besim, shpresë, që gjërat mund të kenë një tjetër mënyrë administrimi me njerëz të tjerë që zgjidhen në krye të administratës lokale. Banorët e Bulgarecit do të kenë për qëllim të punojnë tokën dhe të marrin prodhimin e parashikuar, ne do të kujdesemi që prodhimi të ndjekë zinxhirin e tregtimit dhe të kthehet në fitim dhe interes për ta. Për një drejtim tjetër të Bashkisë Korçë, që ka të shenjtë prodhimin vendas dhe interesin e bujqve dhe fermerëve tanë. Për një drejtim tjetër, që lehtëson banorët e njësive administrative nga burokracitë dhe tarifat e padrejta” është shprehur Alolli gjatë takimit me banorët e Bulgarecit duke kërkuar mbështetjen e tyre më 14 maj.