Kandidatja e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Korçës Ledina Alolli ka zhvilluar një takim me banorët të lagjes 7. Ajo është ndalur derë më derë duke dëgjuar problemet e shqetësimet e banorëve por edhe duke iu shprehur vizionin për bashkinë e drejtuar prej saj. Sipas Alollit filozofia e punës është që të gjendet në çdo shtëpi, në çdo rrugë, në çdo lagje, në çdo njësi administrative, sepse pushteti duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo e anasjellta!
“Nuk ka më vend të pranojmë propagandën e lodhur dhe premtimet e katër viteve më parë. Trokita në familje dhe dera u hap nga njetrëz që e duan ndryshimin. Ne po punojmë të sjellim atë që i ka munguar deri tani këtij komuniteti. Problematikat në këtë lagje, janë gati të njëjta me problemet dhe vështirësitë që ndeshin çdo ditë banorët edhe në lagjet e tjera të Korçës. Një përgjumje katër vjeçare, pastaj premtime që s’pijnë më ujë dhe abuzim për katër vite të tjera sërish. Prej vitesh, pa asnjë ndryshim, banorët marrin premtime dhe qëndrojnë në pritje të kenë investime në infrastrukturë dhe zgjidhje për problematika që kërkojnë ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Bashkisë. Prej vitesh, pa asnjë ndryshim, kërkojnë mbështetje minimale për t’i dhënë jetës në komunitet kushtet e duhura të jetesës dhe mbështetje në cështje që përfshijnë sferën sociale dhe ekonomike, por gjithcka lihet në heshtje dhe e padëgjuar. Ndaj, nga kjo lagje, unë përcjell mesazhin e fortë: Objektivi ynë nuk janë zgjedhjet e ardhshme por e ardhmja e fëmijëve tanë! Për një bashki që rikthehet në duart e qytetarëve; për një bashki që rinis të marrë frymë përsëri; për një bashki ku nuk ka dallim mes periferisë dhe qendrës.
E ardhmja në programin tonë:
- Zgjidhja përfundimtare e ngrohjes së shtëpive tona, në apartamente dhe shtëpi private!
- Përmes një projekti të detajuar, marrim përsipër të bëjmë termoizolimin e të gjithë banesave në qytetin e Korçës, duke ulur ndjeshëm nevojën për konsum të energjisë elektrike, gazit apo druve të zjarrit për ngrohje;
- Do të çliroheni nga taksat e padrejta, taksat e fshehura, nga cdo ndërhyrje e Bashkisë në kurriz të biznesit të vogël, të tregtarëve të vegjël që ndihen të zhvatur nga të ardhurat e familjeve të tyre.
- Bashkia nën drejtimin tonë do të ketë prioritet ruajtjen e vlerave arkitekturore dhe historike të qytetit të Korçës, duke i dhënë fund marrëzisë së Rilindjes urbane, me fasada që fshehin plane të dëmshme për komunitetin.
- Ngritja e një rrjeti shërbimesh në mbështetje të familjeve në nevojë, të familjeve që kanë nevojë për ndihmë ekonomike, të familjeve që kanë nevojë për asistencë sociale”, është shprehur kandidatja e koalicionit “Bashkë Fitojmë për bashkinë e Korçës, Ledina Alolli, gjatë takimit me banorët e lagjes 7 të qytetit.