Kryetari i PD në detyrë Enkelejd Alibeaj edhe njëherë ka shtrirë dorën e bashkëpunimit brenda Partisë Demokratike për t’u bashkuar në betejën elektorale të 14 Majit.
Nga Durrësi ku zhvilloi një takim me strukturat e degës lokale, zoti Alibeaj, tha se në zgjedhjet lokale të 14 majit do të dalin me kandidatin e tyre, nëse grupimi i Sali Berishës nuk do t’ju bashkohet për të dalë me kandidat të përbashkët.
“Kemi kërkuar që kandidati i dalë nga Foltorja, Igli Cara të kandidojë me siglën e PD, por nëse dora e shtrirë ndaj tij për bashkëpunim mbetet pa përgjigje, ne do të dalim me kandidatin tonë dhe nuk do të përsërisim gabimin e vitit 2019” tha Kryetari i PD në detyrë Enkelejd Alibeaj.
Në të njëjtën kohë, zoti Alibeaj i bëri thirrje gjithë spektrit politik opozitar që t’iu bashkohen në zgjedhjet lokale për të krijuar një koalicion të gjerë për të mundur atë që ai e cilësoi “regjimi i Edi Ramës”.
Nga ana tjetër grupimi i Berishës është deklaruar prej kohësh se kandidati opozitar që do të garojë përballë Emiriana Sakos së PS për postin e kryetarit të ri të bashkisë Durrës është Igli Cara, ish deputet dhe kryetar i degës së PD në Durrës.
Grupimi i Alibeajt ende nuk ka një emër të shpallur publikisht.
/ rtsh.al /