Kjo është një festë pagane e cila simbolizon largimin e dimrit dhe ndryshimin e moteve thonë më të moçmit dhe si e tillë shoqërohet me atmosferë festive në familje dhe lagjet e Korçës. Siç është trashëguar brez pas brezi në lagjet e vjetra të qytetit pati ndezje zjarresh, pasi flakët simbolizojnë largimin e së keqes. Por këtë vit kjo festë u prit mes reshjeve të shiut dhe temperaturave të ulëta, çka minimizoi edhe numrin e zjarreve në qytetin e Korçës.
Kulaçi, ëmbëlsira dhe veroret janë disa prej simboleve kryesore të festës së verës pa të cilat ardhja e saj nuk ka kuptim. Nenat dhe gjyshet nëpër familje bëjnë kulaçin e ëmbël duke nënkuptuar jetën, gjallimin dhe bollëkun.
Korçarët i ruajnë me fanatizëm traditat e festimeve të ditës së verës. Të gjitha simbolikat e kësaj feste dhe ritet e caktuara kryhen çdo vit në çdo familje, duke sjellë gëzim dhe harmoni në pritje të stinës së bukur të verës.