Kushtet atmosferike kanë favorizuar punën në bujqësi dhe fermerët kanë nisur përgatitjen e tokës për mbjelljet pranverore. Florian Kupe është një fermer nga Drithasi i Maliqit i cili ka një sipërfaqe toke prej 80 HA të cilat po i përgatit për t’i mbjellë me disa kultura, ku pjesën më të madhe e zë misri.
Kupe është një ndër fermerët potencialë të zonës, që ka siguruar edhe disa makineri bujqësore, me anë të së cilave ka ulur kostot e shërbimeve me rreth 30%..
Për kryerjen e procesit të plugimit të tokës, fermerët duhet të kenë parasysh një sërë këshillash që japin specialistët e bujqësisë, në mënyrë që të sigurohet një mbirje e mirë e farave dhe rendiment në prodhim.
Në fushën e Maliqit mbillet masivisht kultura e grurit, misrit, qepës dhe patates. Mbjellja e qepës tashmë ka nisur, ndërsa pas mesit të muajit mars pritet të nisë mbjellja e patates e më tej ajo e misrit.