Prej datës 20 mars janë hapur aplikimet për Skemën Kombëtare në Bujqësi. Fokusi kryesor i dhënies së fondeve këtë vit është për sektorin e blegtorisë, i cili merr 60 % të totalit të skemës kombëtare të subvencioneve në bujqësi, ndërsa zona e Korçës zë fluksin më të lartë të aplikimeve. Për ekspertët e bujqësisë, skema kombëtare nuk e nxjerr blegtorinë nga kriza, nëse nuk kalohet tek mbështetja për njësi prodhimi. Këtë gjë e pohon edhe veterineri Ilir Kodra i cili prej më shumë se 20 vitesh është i punësuar në një fermë blegtorale në fshatin Drithas të bashkisë së Maliqit. Sipas tij blegtorinë nga situata e nxjerr ndryshimi i skemës, nëse fermerët do të mbështeten për çdo njësi prodhimi, ashtu siç ndodh në vendet e tjera të rajonit. Kjo do të ndikonte në shtimin e prodhimit.
Skema kombëtare ofron nëntë masa mbështetëse, me zero dokumente dhe zero kosto dhe që mbulon pothuajse gjithë sektorët: blegtori, bletari, bimë mjekësore, ferma organike dhe certifikim Global GAP. Fermerët kanë afat të aplikojnë për mbështetje në Skemën Kombëtare 2023, deri në datën 11 prill të këtij viti.