Kujtojmë sot një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar Pirro Mani. Ai lindi në Korçë më 14 Prill 1932. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar. Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga viti 1967 – 1992 ka qenë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetëra pjesë teatrale. Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Mani ishte mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj.
Pirro Mani është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”. Një prej personazheve më të njohur që ai skaliti përjetësisht në memorien e shqiptarëve është ai i “ballistit Sali Protopapa” në filmin “I teti në bronz”.
Pirro Mani u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, më 3 qershor 2021, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte prej disa kohësh së bashku me familjen e tij.