Sot është 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, e cila festohet në të gjithë botën, për të nderuar dhe respektuar figurën e gruas. Në Shqipëri kjo ditë është kthyer në një simbol të veçantë për nënat dhe vajzat. Ato marrin dhurata nga fëmijët apo bashkëshortët, në shenjë mirënjohje dhe respekti. Në qytetin e Korçës ky 8 mars ka kaluar në heshtje, pa ndonjë organizim të vajzave e grave qoftë edhe duke marshuar në mënyrë simbolike. Vajzat dhe gratë në qytetin e Korçës janë të mendimit se në një ditë si kjo duhet të festohet por dhe të protestohet. Ato kanë disa mesazhe për të përcjellë në këtë 8 Mars.
Në zonën këmbësore të qytetit kemi takuar sot Melisën dhe Brikenën, të cilat janë pjesë e Federatës së familjes për paqe botërore dhe bashkim, të cilat së bashku me të rinj të tjerë kanë ndërmarë një nismë, duke shitur kartolina urimi për nënat të punuara me dore, për të mbledhur fonde në ndihmë të qendrës ditore të zhvillimit “Atelie” në Korçë.
Fillimisht 8 marsi u shënua në Shtetet e Bashkuara, ndërsa sot protestohet dhe festohet në shumë vende të botës. Kjo ditë është simbolike për rrugëtimin historik që gratë në të gjithë botën kanë bërë për të përmirësuar jetën e tyre.