Përkujtohet 66 vjetori i krijimit të organizatës së veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në aktivitetin e organizuar për këtë qëllim kanë qenë të pranishëm veteranë dhe pasardhës të tyre, familjet e dëshmorëve, qytetarë si dhe përfaqësues të institucioneve vendore. Tomorr Asabella kryetar i Organizatës së Veteranëve tha se kjo organizatë do të vijojë ta përkujtojë këtë ngjarje si dhe luftën antifashiste nacional çlirimtare duke ia përcjellë edhe brezit të ri.
Askush nga ne nuk ka luksin të harrojë sakrificën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë në luftën antifashiste nacional çlirimtare tha prefekti i Korçës, Nertil Jole, duke theksuar rëndësinë e përcjelljes së historisë së luftës edhe në brezat e rinj.
Promovimi i vlerave dhe i rëndësisë së luftës antifashiste nacional çlirimtare është një mision i madh i organizatës së veteranëve tha kryebashkiaku Sotiraq Filo. Ai ka shprehur angazhimin e tij për të vijuar bashkëpunimin me këtë organizatë për përkujtimin e datave të rëndësishme dhe historisë së luftës.
Kanë përshëndetur këtë aktivitet edhe kryetari i shoqatës së ushtarakëve të liruar dhe në rezervë Maksim Fejzulla dhe kryetari i organizatës së familjeve të dëshmorëve Niko Riza.
Me rastin e kësaj dite organizata e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare ka shpërndarë për të gjithë veteranët mesazhe falenderimi e mirënjohje.