• Korça

40 fshatra pa energji/ Shiu dhe era e fortë sjellin probleme në qarkun e Korçës

Më shumë se 40 fshatra të juglindjes së vendit nga mëngjesi i ditës së sotme janë pa energji elektrike. Shkak janë bërë kushtet e vështira atmosferike me reshje të shumta shiu shoqëruar me erë të fortë në zonat malore. Vetëm në njësinë administrative Gorë të Bashkisë së Maliqit prej disa orësh kanë mungesë të energjisë elektrike 17 fshatra ndërkohë që 3 fshatra në njësinë administrative Moglicë prej 3 ditësh janë pa energji elektrike. Pa energji elektrike për shkak të stuhisë dhe shkarkimeve të shumta atmosferike, nga mëngjesi i sotëm janë dhe 12 fshatra të njësisë administrative Proptisht.

E njëjta situatë paraqitet edhe në 5 fshatra në njësinë administrative Pojan të Bashkisë së Maliqit si dhe në fshatra të tjerë të bashkisë së Korçës të cilët marrin furnizim nga i njëjti fidër. Pa energji elektrike janë edhe fshatra të bashkive Devoll e Kolonjë, kryesisht të Devollit të Sipërm por dhe ato të fushës. Kushtet e vështira atmosferike e kanë bërë të vështirë gjatë orëve të para të mëngjesit ndërhyrjen e specialistëve të OSSHE por burime të siguruara thanë se ka pasur edhe stakime nga ana e operatorit të shpërndarjes për shkak të shkarkimeve të shumta atmosferike në këto zona. Zyrtarisht bëhet me dije se grupet e OSSHE janë në gatishmëri për të normalizuar situatën e rëndë të krijuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *