• Korça

30 doktorantë nga Universiteti i Veliko Tarnovo-s, Bullgari vizitë në Universitetin “Fan S. Noli”

Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, pedagogë, drejtues dhe rreth 30 doktorantë nga Universiteti i Veliko Tërnovo-s në Bullgari për një javë do të jenë në Universitetin “Fan Stiljan Noli” në Korçë, ku do të zhvillojnë vizita, leksione e takime me stafin. Kjo vizitë zyrtare bëhet në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit të institucioneve të arsimit të lartë. Gjatë këtij takimi rektori i universitetit të Korçës, Prof. Dr. Dhimitri Bello, shprehu besimin për zgjerimin e bashkëpunimit akademik në nivel institucional, teksa u ndal edhe tek organizimi i Akademisë Verore si një sipërmarrje e përbashkët mes tre universiteteve, përfshi këtu edhe Universitetin Aristoteli të Selanik-ut në Greqi.

Nga ana tjetër edhe zëvendësrektori i Universitetit të Veliko Tërnovo-s në Bullgari, Prof. Dr. Nikollai Kënev, vlerësoi këtë takim si shumë të rëndësishëm për bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy institucioneve.

Ky bashkëpunim ndërinsitucional mes dy universiteteve ka në fokus hapjen e programeve të përbashkëta, bashkëpunimin kërkimor- akademik si dhe mobilitetet e stafeve akademike dhe studentëve. Të gjitha këto do të realizohen në kuadër të vitalizimit të Qendrës Ballkanike në të cilën marrin pjesë 9 universitete rajonalë, ku të dyja universitetet janë partnerë me të drejta të plota.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *