Ky 25 korrik shënon 25 vjetorin e fronëzimit të Mitropolitit të Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Devollit dhe Voskopojës, Hirësi Joanit.
Mbrëmjen e djeshme, është mbajtur shërbesa mbrëmësore në nderim të Shën Anës, me pjesmarrjen e Mitropolitit të Korçës, Hirësi Joanit në Kishën e Shën Anës. Në këtë shërbesë kanë marrë pjesë klerikët e Mitropolisë së Shënjtë Korçë dhe besimtarë të shumtë.
Me rastin e 25 vjetorit të fronëzimit të Mitropolitit të Korçës Hirësisë së Tij Joanit këtë të martë është celebruar Liturgjia Hyjnore në kishën katedrale “Ngjallja e Krishtit” në Korçë, e cila është drejtuar nga vetë Mitropoliti, Hirësia e Tij Joani. Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qënë Mitropoliti i Fierit dhe Apollonisë, Hirësia e Tij, Nikolla; Mitropoliti i Elbasanit dhe Shpatit, Hirësia e Tij, Andoni; si dhe Episkopi i Bylisit, Hirësia e Tij, Asti, klerikë nga disa dhioqeza të vendit dhe qindra besimtarë.
Viti 1998 do të shënonte një ngjarje të rëndësishme për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, pasi u riformua Sinodi i Shenjtë. Në 20 korrik të po këtij viti Kryepeshkopi Anastas së bashku me disa Mitropolitë, kryen dorëzimin e Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Korçës Joanit, përpara një numri të madh besimtarësh në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë. Ndërsa fronëzimi u krye në kishën metropolitane “Burimi Jetëdhënës” në Korçë më 25 korrik, duke shënuar kështu një ngjarje historike për qytetin e Korçës dhe gjithë besimtarët.