115 vjet më parë në Kongresin e Manastirit u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe. Kongresi i Manastirit ishte një kongres kombëtar, i cili u mbajt në Manastir më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908. Sot, pas 115 vitesh, ky Kongres njihet e do të vazhdojë të njihet si Kongresi i Alfabetit, Kongresi që bëri kthesë për shqiptarët dhe gjuhën shqipe, Kongres nga i cili u formua alfabeti unikal shqiptar.
Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në vende të ndryshme të botës. Në këtë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare, njerëz të ditur, të bashkuar për një qëllim të madh kombëtar. Kongresi vendosi me votë unanime për të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe të shkruhej gjuha shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabet që përdoret në ditët tona. Kongresi i Manastirit vlerësohet me të drejtë si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX. Pedagogu e studiuesi i gjuhës shqipe Prof. Dr. Ali Jashari ndërsa rendit një sërë problemesh të gjuhës shqipe në ditët tona duke nisur nga mospërdorimi i shkronjave ë e ç në shkrimin e dokumentave apo edhe në rrjetet sociale, e deri te fjalët e huaja që përdoren në përditshmëri, thekson edhe rëndësinë e hartimit të një ligji për mbrojtjen e gjuhës amtare.
Ruajtja e mbrojtja e gjuhës shqipe është një çështje e dinjitetit kombëtar dhe një testament i lënë nga atdhetarët e patriotët që prej Kongresit të Manastirit kur edhe u formua alfabeti që përdorim në ditët tona.